1. Kreu
  2. Mesazhet
  3. 28 shtator 2026

Mesazhi i Udhëheqësit të nderuar të Revolucionit me rastin e Javës së Mbrojtjes së Shenjtë dhe përvjetorit të martirizimit të dëshmorit Sejid Hasan Nasrallah

Ky është përkthim i tekstit origjinal në persisht. Teksti origjinal në persisht

بسم‌الله الرّحمن الرّحیم
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

وَ لَقَدْ اَرسَلنْا موسی بِایاتِنا اَنْ اَخرِجْ قَومَکَ مِنَ الظُّلُماتِ اِلی‌ النّورِ وَ ذَکِّرْهُم بِاَیّامِ الله
Ne e dërguam Musain me argumentet Tona (dhe i thamë): Nxirre popullin tënd prej errësirave në dritë dhe përkujtoju atyre ditët e Allahut! (Kur’an, Ibrahim 14:5)

Ditët e para të muajit Mehr na kujtojnë ditët e Allahut dhe dukurinë e madhe e të qëndrueshme të mbrojtjes heroike tetëvjeçare të kombit të Iranit në luftën e parë të imponuar. Në ato ditë, rrezatimi i ngrohtë i diellit të Revolucionit në hapësirën e tokës së Iranit përhapte një ndjenjë të këndshme solidariteti kombëtar dhe besnikërie ndaj shkollës dhe idealeve të Islamit revolucionar, nën ndikimin e së cilës akujt e hegjemonisë dhe të kolonializmit të vjetër e të ri po shkriheshin. Në ato ditë, disa nga njerëzit e Iranit i kujtonin ende ngjarjet e njëzet e ca viteve më parë, keqdashjen e kolonialistëve, ngjarjet që lidheshin me nacionalizimin e industrisë së naftës dhe grushtin amerikan të shtetit. Të tjerë kishin dëgjuar lajme për to, dhe shumë prej tyre e kishin prekur mirë realitetin se çfarë i kishte sjellë vendit tonë sundimi i të huajve mbi punët e tij. Por ditët para kësaj ishin ditë të errëta e të zymta, kur ambasadorët e qeverive arrogante i diktonin mbretit të vendit çfarë duhej dhe çfarë nuk duhej bërë, dhe ai, me dëshirë ose pa dëshirë, i zbatonte ato, derisa Revolucioni i madh i kombit të Iranit, nën udhëheqjen e Imam Khomeinit, e përmbysi atë rend. Ato ditë të errëta, si rezultat i këtij Revolucioni, u kthyen në ditët plot dritë të vendosjes së Republikës Islamike të Iranit. Kjo u erdhi shumë rëndë hegjemonistëve që i kishin ngulur sytë me lakmi te pasuritë e këtij vendi dhe që për vite me radhë, për t’i përvetësuar ato, kishin kryer lloj-lloj të këqijash ndaj banorëve të tij. Prandaj, që atëherë e tutje, ata i vunë të gjitha përpjekjet për ta kthyer rrjedhën e lumit të vrullshëm të kombit revolucionar në drejtimin e mëparshëm, dhe lufta e parë e imponuar ishte veprimi i tyre më i rëndësishëm në dekadën e parë të jetës së bekuar të Republikës Islamike.

Nga zemra e zjarrit të asaj lufte, e cila ishte ndezur nga partia antipopullore Baath me iluzionin e një lufte disaditore dhe të një fitoreje të lehtë, sistemi islam u ngrit si feniks, më i fuqishëm dhe më i fortë se më parë, me një zë më kumbues dhe me një fluturim më të lartë se më parë; dhe kjo u bë cilësi e përhershme e këtij sistemi në ngjarjet e mëvonshme të sajuara nga armiku.

Ato ditë, kur armiku i këtij kombi kishte vendosur shërbëtorët e tij në pushtet mbi të dhe zbatonte një formë të re kolonializmi, me bekimin e Revolucionit dhe të ngritjes së flamurit të Islamit dhe të xhihadit në rrjedhën e luftës së imponuar, u shndërruan në ditë plot krenari, saqë edhe sot, 38 vjet pas përfundimit të saj, nga shqyrtimi i çdo hollësie të ngjarjeve të saj dhe nga rrëfimet e sinqerta të atyre që mbijetuan, shfaqen si yje të shndritshëm në ballë të historisë së vendit tonë figura shembullore, secila prej të cilave jep mësime adhurimi, guximi, qëndrese, morali dhe njerëzie.

Ato ditë, kur në fillim të sulmeve të pasuesve të sistemit hegjemonist vendi ynë kishte trashëguar nga regjimi i tagutit duar bosh për të mbrojtur veten përballë shumë kërcënimeve, me bekimin e vendosjes së së vërtetës dhe me ndihmën hyjnore, tani kanë arritur në ditë të tilla kur vetë hegjemonistët agresorë, e jo pasuesit e tyre, kërkojnë strehë përballë sulmeve të luftëtarëve të Islamit dhe shtrijnë dorën duke u lutur për ndërprerjen e luftës.

Ato ditë, në të cilat ata dëshirojnë ta kthejnë vendin tonë, ishin ditë plot prapambetje, poshtërim e përulje, varësi dhe njollosje të emrit të Iranit në botën islame; ndërsa këto ditë në të cilat jemi janë plot përparim, dinjitet, pavarësi dhe shkallën më të lartë të prestigjit në botën islame, madje në gjithë botën. Sot, disa na konsiderojnë fuqia e katërt e madhe e botës. Natyrisht, ata e thonë këtë mbi bazën e llogaritjeve të kësaj bote; por llogaritjet hyjnore e konsiderojnë fuqinë e parë të botës një vend që e sheh veten si pjesë të familjes së pastër të Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të gjithë ata), shumica e njerëzve të të cilit janë të lidhur me ata të lartë dhe nuk kanë frikë për vendosjen e së vërtetës.

Në ato ditë, dy detet e jugut të Iranit ishin fushë veprimi për forcat e armikut, por këto ditë, për shkak të goditjeve të dhimbshme që kanë marrë nga luftëtarët trima dhe nga mbrojtësit e Ngushticës së Hormuzit, ata nuk afrohen përtej Detit Arabik, dhe sa herë që e kanë marrë përsipër këtë rrezik, i kanë shkaktuar dëm vetes; dhe nuk do të vonojë që edhe Deti Arabik të çlirohet prej tyre.

Ishin ditë kur hegjemonistët, me operacione psikologjike dhe me krijimin e një atmosfere frike, i zbrazën rrugët e kryeqytetit, organizuan një grusht shteti kundër përpjekjes së këtij kombi për pavarësi dhe pas kësaj, për 25 vjet, plaçkitën pasuritë e këtij vendi; por këto ditë, prej shtatë muajsh, bashkatdhetarët tanë i kanë zbukuruar sheshet dhe rrugët në gjithë vendin me praninë e tyre të përgjegjshme dhe të zjarrtë, që zemrat e luftëtarëve të Islamit të jenë të ngrohta dhe armiku të zhytet në frikë. Gjithashtu, më shumë se 30 milionë iranianë kanë shpallur gatishmërinë e tyre për të flijuar jetën, dhe kur u bë thirrje për rikonfirmimin e pranisë së tyre për një lloj organizimi, vetëm brenda 100 minutave të para, më shumë se pesëqind mijë veta e plotësuan kapacitetin e kërkuar. Tani, në të gjithë Iranin Islam, i cili është i zbukuruar me praninë e iranianëve nga etni të ndryshme, ka shpallje të ndryshme gatishmërie, veçanërisht gatishmëri të armatosur, për të krijuar një fushë beteje që atyre t’u sjellë emër të mirë dhe armikut të tyre turp.

Ishin ditë kur elementi i trimërisë së njerëzve të kësaj toke njihej me burrat e saj; por tani jemi në ditë të tilla, kur gratë, në disa fusha të pranisë trimërore, ua kalojnë burrave.

Ishin ditë kur armiku përpiqej ta dobësonte vazhdimisht mbështetjen shoqërore të sistemit, por në këto ditë shtresa të ndryshme të shoqërisë, me gjithë dallimet e dukshme, ngulin këmbë në ruajtjen e qëndrimeve të tyre të drejta, përfshirë ruajtjen e Ngushticës së Hormuzit, plot mirësi dhe begati.

Ky krahasim midis ditëve të mëparshme dhe ditëve të tanishme mund të zgjerohet dhe të shpjegohet edhe më tej, por me një fjalë, unë, si shërbëtor i popullit të dashur të Iranit, shpall se ato ditë të mëparshme, në të cilat armiku ynë dëshiron të kthehemi, kanë kaluar dhe nuk do të përsëriten më kurrë. Dhe natyrisht, me dhimbje e trishtim duhet të kujtoj se në këto ditë mungesa e Khomeinit të Madh dhe e Khameneit të madhërishëm dëshmor, Allahu e lartësoftë pozitën e tyre të nderuar, dinjiteti i sotëm i vendit të cilit i detyrohet udhëheqjes së tyre, ndihet shumë. Por me bekimin e thesarit të çmuar që kanë lënë për pasuesit e tyre nga veprimtaria dhe fjalët e tyre të shndritshme dhe udhëzuese, ditët e ardhshme do të jenë shumë më madhështore se këto ditë. Sepse ai feniks që u ngrit nga grumbulli i zjarrit të luftës së parë të imponuar, tani, si rezultat i presioneve të armikut dhe veçanërisht i dy luftërave të fundit të imponuara, është rritur aq shumë, saqë hija e fluturimit të tij ka rënë edhe mbi tokat e armikut.

Në këtë rast, është shumë e udhës që, me rastin e përvjetorit të dytë të martirizimit të emirit hero të arabëve dhe simbolit të madh të Frontit të Rezistencës, dëshmorit të lartë Sejid Hasan Nasrallah, Allahu e shenjtëroftë shpirtin e tij të pastër, ta përkujtojmë atë. Ai ishte një dashamirës i sinqertë për popullin dhe për shkollën e tij, dhe hutbet e tij të sinqerta e të ëmbla dhe veprimet e tij trimërore i forconin zemrat e popullit të tij, madje edhe të njerëzve të lirë të botës. Ai e ngriti në madhështi emrin e Libanit, i cili është një vend i vogël dhe për vite me radhë ishte bërë oborr i pasmë i disa fuqive. Ai ishte njeriu, shoqërues të përhershëm të të cilit ishin ndihma dhe fitorja, dhe pa dyshim, në gjithë historinë e Shamit deri më sot, pas profetëve dhe trashëgimtarëve të tyre, në atë trevë të lashtë nuk ishte ngritur një burrë me madhështinë e tij. Dhe natyrisht, tani flamuri i tij i lavdishëm është në duart e Shejh Naim Kasemit, Allahu e ruajttë, i cili, me trimëri, në ballë të radhëve të forta dhe ashurane të Hezbollahut, vazhdon rrugën e tij.

Këto ditë të Libanit, para gjykimit të historisë, madje që tani, janë ditë të shquara dhe të lavdishme për ta dhe për të gjithë muxhahidët e rezistencës, dhe ditë që sjellin poshtërim e në fund turp për ata që, përballë armikut sionist, i kanë ngulur sytë me shpresë te premtimet e rreme të hegjemonistëve dhe të keqdashësve të tyre. Ata, ndryshe nga Sejidi dëshmor i rezistencës, Sejid Hashem Safiedini dhe muxhahidët e tanishëm të rezistencës, të cilët me kalimin e kohës do të rrezatojnë dritë si yje të shndritshëm dhe do të jenë udhërrëfyes për kërkuesit e rrugës që kanë mbetur në hutim, shumë shpejt, që në shfletimin e parë të faqeve të historisë, do të varrosen dhe do të harrohen, dhe sa herë që në të ardhmen të përmenden, do të kujtojnë të keqen, mungesën e mençurisë e ndoshta edhe tradhtinë.

Në fund, shpresoj që, me vazhdimin e mirësive hyjnore dhe me lutjen e veçantë të Zotërisë tonë, Allahu i Lartësuar e shpejtoftë daljen e tij të nderuar dhe shpirtrat tanë qofshin fli për të, kombi i Iranit dhe të gjithë ithtarët e rezistencës të mos përballen me asgjë tjetër veçse me ndihmë, fitore dhe dinjitet, ndërsa armiqtë e tyre me asgjë tjetër veçse me disfatë dhe poshtërim, me mirësinë dhe bujarinë e Allahut.

Sejid Mojtaba Hosseini Khamenei
6 Mehr 1405