Mesazhi me rastin e rihapjes së shkollave dhe universiteteve
Ky është përkthim i tekstit origjinal në persisht. Teksti origjinal në persisht
بسم الله الرحمن الرحیم
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
یَرفَعِ الله الَّذینَ آمَنوا مِنکُم وَ الَّذینَ اوتُوا العِلمَ دَرَجات
Allahu i lartëson në shkallë ata prej jush që besuan dhe ata të cilëve u është dhënë dituria. (Kur’an, El-Muxhadele 58:11)
Agimi i vitit të ri akademik dhe rihapja e shtëpive të dijes dhe të edukatës në shkolla dhe universitete janë lajmëtarë të gjallërisë, të shpresës dhe të lëvizjes së shpejtë të kombit drejt një të ardhmeje të ndritur dhe madhështore; një e ardhme, realizimi i së cilës është në duart e afta të fëmijëve të dashur të Iranit dhe të të edukuarve të shkollës së Islamit dhe të Revolucionit Islam, i po atij brezi te i cili Khomeini i Madh dhe Khamenei i madhërishëm dëshmor, Allahu e lartësoftë pozitën e tyre të nderuar, e shprehën shumë herë shpresën e tyre.
Tani që dyert e një viti të ri akademik po hapen para një numri të madh nxënësish dhe studentësh, dhe udhëtarët e rrugës së dijes dhe të urtësisë, me shpresë te suksesi hyjnor, po nisin një periudhë të re të fitimit të dijes, njohjes dhe aftësive, është e denjë që, së bashku me nënat dhe baballarët e pikëlluar, të nderojmë edhe një herë kujtimin e nxënësve që ranë dëshmorë në luftën e fundit të imponuar. Këtë vit, ditët e paharrueshme të fillimit të vitit akademik na e ripërtërijnë hidhërimin e ndarjes nga fëmijët tanë që na lanë. Në shkolla dhe universitete do të ndihet mungesa e disa studentëve, profesorëve dhe mësuesve, dhe ky trishtim do ta drejtojë mendjen tonë drejt kuptimit të drejtë të përplasjes midis së mirës dhe së keqes dhe të luftës midis së vërtetës dhe së pavërtetës.
Përgjegjësia e sotme e nxënësve dhe e studentëve është përpjekja për t’u pajisur me dije dhe devotshmëri, me shpresë dhe moral, me njohuri dhe aftësi, dhe për të larguar perdet e injorancës dhe të errësirës, derisa, duke kapërcyer kufijtë e dijes dhe duke pushtuar majat e saj që sjellin përparim, ta përmbushin misionin e tyre historik për lartësimin e Iranit Islam. Kjo detyrë e rëndësishme kryhet në një vend që konsiderohet shtëpia e tyre e dytë. Prandaj u them këtyre të dashurve se është e nevojshme që gjithmonë ta ruani në mënyrën më të mirë shenjtërinë e tij dhe, duke ngritur gjithnjë e më shumë nivelin e ndërgjegjësimit dhe të largpamësisë dhe duke lartësuar sjelljet dhe karakterin tuaj, ta bëni atë qendër të përparimit të atdheut tuaj. Shfrytëzojeni mundësinë e pranisë disavjeçare në këtë strehë të dijes, edukatës, gjallërisë dhe shpresës për ngritjen sa më të madhe të vetvetes: ngritjen e vetvetes në elementin më të rëndësishëm të jetës së njeriut, që është lidhja me Krijuesin e Lartësuar; ngritjen e vetvetes në marrëdhëniet me të ngjashmit, me bashkatdhetarët dhe me familjen; dhe ngritjen e vetvetes në fitimin e dijes dhe në përvetësimin e lloj-lloj aftësish.
Gjatë kësaj kohe, ushtroni të menduarit e drejtë dhe nismën, dhe jini gjithmonë mbrojtës të rrënjëve të identitetit kombëtar, të dinjitetit dhe të pavarësisë suaj kulturore, të gjuhës amtare, të flamurit të shenjtë të sistemit islam dhe të simboleve të tjera të tij. Së shpejti do të vijë koha që ta gjeni rolin tuaj të përshtatshëm në shoqëri, dhe atëherë, duke e përmbushur atë në mënyrën më të mirë, do ta bëni krenar veten dhe vendin tuaj.
Tani, në një kohë kur egërsia e sistemit hegjemonist, veçanërisht e qeverisë kriminale të Amerikës dhe e regjimit të rremë sionist, po shfrenohet, fuqia që buron nga dija e shoqëruar me devotshmëri dhe moral është si një mburojë e çeliktë dhe një shpatë e mprehtë, që ua shkurton duart agresorëve mbi njerëzimin. Tani ju po hyni në klasa ku brezat që pak para jush ishin ulur në bankat e tyre të dashura, sot, në fronte të ndryshme të mbrojtjes së atdheut dhe të nderit, po krijojnë dinjitet dhe fuqi për Iranin Islam, dhe pikërisht ata do të jenë shembull dhe dritë e rrugës për ju; ashtu siç para tyre në po këto klasa kishte njerëz që konsiderohen shembuj të vetëflijimit, simbole të madhështisë së vendit dhe legjenda të madhështisë dhe fisnikërisë.
Fjala e fundit u drejtohet mësuesve dhe profesorëve. Të gjithë ne u jemi borxhlinj mësuesve tanë në çdo nivel të shkollimit. Kjo shtresë e dashur dhe e çmuar, e cila shpesh përballet me ndjenjat më të pastra të nxënësve të saj, meriton të nderohet nga të gjithë në mjedise dhe në kohë të ndryshme. Dinjiteti dhe modestia që zakonisht vihen re tek ata nuk i bëjnë zyrtarët përgjegjës të jenë të kënaqur me gjendjen e tanishme të jetesës së tyre, dhe në dashtë Allahu, me një planifikim të mençur, do të bëjnë përpjekje efektive për përmirësimin e saj; sidomos sepse kjo çështje, përtej përmbushjes së një detyre ligjore, është diçka që buron nga zemra.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi profesorët, mësuesit, studentët dhe nxënësit dëshmorë të luftës së tretë të imponuar, e në krye të tyre mbi Udhëheqësin tonë të urtë dhe edukatorin e madhërishëm dëshmor, Allahu e lartësoftë pozitën e tij të nderuar, i cili kishte një meritë të madhe në përshpejtimin e dukshëm të dijes në vend; falënderim për të gjithë edukatorët, mësuesit dhe profesorët e fushës së shkencës, të dijes dhe të fesë; urime dhe mirëseardhje për secilin nga nxënësit dhe studentët e mbarë të kombit të Iranit; dhe shpresë që, me lutjen e bekuar të Zotërisë tonë, Allahu i Lartësuar e shpejtoftë daljen e tij të nderuar, të jenë gjithnjë e më të suksesshëm në arritjen e majave të dijes, të edukatës dhe të përparimit, në dashtë Allahu.
Sejid Mojtaba Hosseini Khamenei
31 Shahrivar 1405