Ky është përkthim i tekstit origjinal në persisht. Teksti origjinal në persisht

بسم الله الرّحمن الرّحیم
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

مَا نَنسَخ مِن آیَةٍ اَو نُنسِها نَأتِ بِخَیرٍ مِنها اَو مِثلِها. (1)
Ne nuk shfuqizojmë ndonjë ajet ose nuk e lëmë në harresë, pa sjellë një më të mirë se ai ose të ngjashëm me të. (Kur’an, El-Bekare 2:106)

اَلسَّلامُ‌عَلَیكَ یا داعِیَ اللّهِ وَ رَبّانِیَّ آیاتِهِ اَلسَّلامُ عَلَیكَ یا بابَ اللّهِ وَ دَیّانَ دینِهِ اَلسَّلامُ عَلَیكَ یا خَلیفَةَ اللّهِ و ناصِرَ حَقِّهِ اَلسَّلامُ عَلیكَ یا حُجَّةَ ا‌للّهِ وَ دَلیلَ اِرادَتِه اَلسَّلامُ عَلَیكَ اَیُّهَا المُقَدَّمُ المَأمول اَلسَّلامُ عَلَیكَ بِجَوامِعِ السَّلام. اَلسَّلامُ‌عَلَیكَ یا مَولایَ صاحِبَ الزَّمان.
Paqja qoftë mbi ty, o thirrës drejt Allahut dhe njohës hyjnor i ajeteve të Tij! Paqja qoftë mbi ty, o derë e Allahut dhe mbrojtës i fesë së Tij! Paqja qoftë mbi ty, o mëkëmbës i Allahut dhe ndihmës i së vërtetës së Tij! Paqja qoftë mbi ty, o argument i Allahut dhe udhërrëfyes i vullnetit të Tij! Paqja qoftë mbi ty, o i paraprirë, në të cilin varet shpresa! Paqja qoftë mbi ty me përshëndetjet më gjithëpërfshirëse! Paqja qoftë mbi ty, o zotëria im, Sahib ez-Zeman (Zoti i Kohës)!

Në fillim të fjalës sime, duhet t’i shpreh ngushëllimet e mia Zotërisë tim (Allahu i Lartësuar e shpejtoftë daljen e tij) për martirizimin përvëlues të Udhëheqësit të madhërishëm të Revolucionit, Khameneit të dashur dhe të urtë, dhe t’i kërkoj atij lutje të mira për secilin pjesëtar të kombit të madh të Iranit, madje për të gjithë myslimanët e botës, për të gjithë shërbëtorët e Islamit dhe të Revolucionit, për veteranët e vetëflijimit dhe për familjet e dëshmorëve të lëvizjes islame, veçanërisht të luftës së fundit, si dhe për vetë mua, të përvuajturin.

Pjesa e dytë e fjalës sime i drejtohet kombit të madh të Iranit. Së pari, duhet të shpjegoj shkurtimisht qëndrimin dhe pozitën time në lidhje me votën e Asamblesë së nderuar të Ekspertëve. Ky shërbëtor i juaj, Sejid Mojtaba Hosseini Khamenei, mësoi për rezultatin e votimit të Asamblesë së nderuar të Ekspertëve njëkohësisht me ju, përmes televizionit të Republikës Islamike. Për mua, të ulem në vendin ku janë ulur dy prijës të madhërishëm, Khomeini i Madh dhe Khamenei dëshmor, është një punë e vështirë; sepse ky post ka pasur në të një njeri që, pas më shumë se gjashtëdhjetë vjetësh xhihadi në rrugën e Allahut dhe heqjeje dorë nga lloj-lloj kënaqësish e rehatish, u shndërrua në një margaritar të shndritshëm dhe në një figurë të shquar, jo vetëm në kohën e sotme, por përgjatë gjithë historisë së qeverisësve të këtij vendi. Si jeta, ashtu edhe mënyra e vdekjes së tij ishin të gërshetuara me madhështi dhe dinjitet që buronin nga mbështetja te e Vërteta.

Unë pata nderin ta shoh trupin e tij pas martirizimit; ajo që pashë ishte një mal qëndrese; dhe dëgjova se grushtin e dorës së tij të paprekur e kishte shtrënguar. Për aspektet e ndryshme të personalitetit të tij, njerëzit e informuar do të kenë për të thënë shumë gjëra për një kohë të gjatë. Në këtë rast po mjaftohem me këtë përmbledhje dhe hollësitë ua lë rasteve të tjera të përshtatshme. Kjo është arsyeja e vështirësisë së uljes në postin e udhëheqjes pas një personi të tillë. Mbushja e kësaj zbrazëtie është e mundur vetëm me ndihmën e Zotit të Vërtetë dhe me përkrahjen tuaj, o popull.

Në vazhdim, është e nevojshme të theksoj një pikë që ka lidhje të drejtpërdrejtë me thelbin e fjalës sime: një nga mjeshtëritë e Udhëheqësit dëshmor dhe të paraardhësit të tij të madh ishte përfshirja e popullit në të gjitha fushat, dhënia e vazhdueshme e largpamësisë dhe ndërgjegjësimit, dhe në praktikë mbështetja te forca e tij. Kështu ata e vunë në jetë kuptimin e vërtetë të popullit dhe të republikanizmit dhe besonin në të nga thellësia e shpirtit. Efekti i qartë i kësaj u pa në këto pak ditë kur vendi ishte pa Udhëheqës dhe pa Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Largpamësia dhe mençuria e kombit të madh të Iranit në ngjarjen e fundit, si dhe qëndrueshmëria, guximi dhe prania e tij, e bënë mikun të admirojë dhe armikun të habitet. Ishit ju, o popull, që e udhëhoqët vendin dhe garantuat fuqinë e tij.

Ajeti që e vendosa në krye të këtij shkrimi do të thotë se nuk ka asnjë shenjë nga shenjat hyjnore, afati i së cilës mbaron ose që lihet në harresë, pa u zëvendësuar nga Zoti i Vërtetë (i Madhëruar dhe i Lartësuar qoftë) me një të ngjashme ose më të lartë se ajo. Arsyeja e përdorimit të këtij ajeti fisnik nuk është se ky shërbëtor është në nivelin e Udhëheqësit dëshmor, e lëre më të dëshirojë të konsiderohet më i lartë se ai; përkundrazi, qëllimi i përmendjes së ajetit të bekuar është tërheqja e vëmendjes te roli i duhur dhe i theksuar i juaji, o komb i dashur. Nëse ajo mirësi e madhe na u mor, në vend të saj këtij sistemi iu dhurua edhe një herë prania e kombit të Iranit e ngjashme me atë të Ammarit. Dijeni këtë: nëse fuqia juaj nuk shfaqet në skenë, as udhëheqja dhe as ndonjë nga institucionet e ndryshme, misioni i vërtetë i të cilave është shërbimi ndaj popullit, nuk do të kenë efikasitetin e nevojshëm.

Që ky kuptim të realizohet më mirë, së pari, përmendja e Allahut, të Bekuar dhe të Lartësuar, mbështetja tek Ai dhe kërkimi i ndërmjetësimit të dritave të pastra të të Pagabueshmëve (paqja e Allahut qoftë mbi të gjithë ata) duhet të shihen si eliksiri më i madh dhe guri filozofal, që garanton lloj-lloj çeljesh dhe fitoren e sigurt mbi armikun. Ky është një avantazh i madh që ju e keni dhe armiqtë tuaj nuk e kanë.

Së dyti, uniteti midis pjesëtarëve dhe shtresave të kombit, i cili zakonisht shfaqet në mënyrë të veçantë në kohë vështirësie, nuk duhet të cenohet. Kjo do të arrihet duke anashkaluar pikat e mosmarrëveshjes.

Së treti, duhet të ruhet prania efektive në skenë, qoftë në formën që e treguat në këto ditë e net të luftës, qoftë në formën e roleve të ndryshme efektive në fushat shoqërore, politike, edukative, kulturore e madje edhe të sigurisë. E rëndësishme është që roli i duhur, pa cenuar unitetin shoqëror, të kuptohet mirë dhe të zbatohet sa më shumë që të jetë e mundur. Një nga detyrat e udhëheqjes dhe e disa zyrtarëve të tjerë është t’ua kujtojnë disa nga këto role pjesëtarëve ose shtresave të shoqërisë. Prandaj, kujtoj rëndësinë e pjesëmarrjes në ceremonitë e Ditës së Kudsit të vitit 1447, në të cilat elementi i thyerjes së armikut duhet të jetë në vëmendjen e të gjithëve.

Së katërti, mos kurseni ndihmën dhe përkrahjen për njëri-tjetrin. Falënderimi i takon Allahut, kjo ka qenë gjithmonë cilësia e përhershme e shumicës së iranianëve dhe pritet që në këto ditë të veçanta, të cilat natyrisht për disa pjesëtarë të kombit janë më të vështira se për të tjerët, kjo të shfaqet edhe më shumë. Me këtë rast, u kërkoj institucioneve të shërbimeve që në këtë drejtim të mos kursejnë asnjë lloj ndihme dhe mbështetjeje për ata pjesëtarë të dashur të kombit dhe për strukturat popullore të ndihmës.

Nëse këto aspekte respektohen, rruga juaj, o komb i dashur, drejt ditëve të madhështisë dhe lavdisë do të jetë e shtruar. Shembulli më i afërt i saj mund të jetë, me lejen e Allahut, fitorja mbi armikun në luftën aktuale.

Pjesa e tretë e fjalës sime është falënderimi i sinqertë për luftëtarët tanë trima, të cilët, në rrethanat kur kombi dhe atdheu ynë i dashur janë sulmuar padrejtësisht nga krerët e frontit të arrogancës, me goditjet e tyre dërrmuese ia kanë prerë rrugën armikut dhe e kanë nxjerrë atë nga iluzioni i mundësisë së sundimit mbi atdheun e dashur dhe ndoshta të copëtimit të tij. Vëllezër të dashur luftëtarë! Dëshira e masave të popullit është vazhdimi i një mbrojtjeje efektive që e bën armikun të pendohet. Gjithashtu, pa dyshim, duhet të vazhdojë të përdoret leva e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit. Në lidhje me hapjen e fronteve të tjera, në të cilat armiku ka përvojë të pakët dhe do të jetë shumë i cenueshëm, janë bërë studime, dhe aktivizimi i tyre do të bëhet nëse gjendja e luftës vazhdon dhe në përputhje me interesat.

Gjithashtu shpreh falënderimin tim të sinqertë për luftëtarët e Frontit të Rezistencës. Ne i konsiderojmë vendet e Frontit të Rezistencës miqtë tanë më të mirë, dhe çështja e rezistencës dhe Fronti i Rezistencës janë pjesë e pandashme e vlerave të Revolucionit Islam. Pa dyshim, bashkërendimi i pjesëve të këtij fronti me njëra-tjetrën e shkurton rrugën e shpëtimit nga trazira sioniste; ashtu siç pamë se Jemeni trim dhe besimtar nuk hoqi dorë nga mbrojtja e popullit të shtypur të Gazës, Hezbollahu vetëmohues, pavarësisht të gjitha pengesave, i erdhi në ndihmë Republikës Islamike, dhe Rezistenca e Irakut gjithashtu e ka ndjekur me trimëri të njëjtën vijë.

Në pjesën e katërt, fjala ime u drejtohet atyre që në këto pak ditë kanë pësuar dëm në një mënyrë ose në një tjetër: qoftë atyre që kanë përjetuar dhimbjen e martirizimit të një të dashuri ose të disa të dashurve, qoftë atyre që janë plagosur, qoftë personave që u janë dëmtuar shtëpia, vatra ose vendi i punës. Në këtë pjesë, së pari, shpreh dhembshurinë time të thellë me familjet e dëshmorëve të lartë. Kjo mbështetet në përvojën e përbashkët që kam me këta fisnikë: përveç babait tim, humbja e të cilit është bërë dhimbje e përbashkët, kam dorëzuar në karvanin e dëshmorëve bashkëshorten time të dashur dhe besnike, te e cila kisha shumë shpresa, motrën time vetëmohuese, e cila ia kishte kushtuar veten shërbimit ndaj prindërve dhe në fund mori shpërblimin e saj, si dhe fëmijën e saj të vogël, dhe bashkëshortin e motrës sime tjetër, i cili ishte një njeri i ditur dhe fisnik. Por ajo që e bën të mundur, madje të lehtë, durimin ndaj fatkeqësive, është vëmendja ndaj premtimit të prerë dhe të sigurt hyjnor për një shpërblim të çmuar për të durueshmit. Prandaj duhet duruar dhe duhet pasur shpresë e besim te mirësia dhe ndihma e Zotit të Vërtetë (i Madhëruar dhe i Lartësuar qoftë).

Së dyti, u jap të gjithëve sigurinë se ne nuk do të heqim dorë nga hakmarrja për gjakun e dëshmorëve tuaj. Hakmarrja që kemi parasysh nuk ka të bëjë vetëm me martirizimin e Udhëheqësit të madhërishëm të Revolucionit; përkundrazi, çdo pjesëtar i kombit që vritet si dëshmor nga armiku përbën në vetvete një çështje më vete në dosjen e hakmarrjes. Natyrisht, një pjesë e kufizuar e kësaj hakmarrjeje deri tani është realizuar, por derisa ajo të arrihet plotësisht, kjo dosje do të qëndrojë mbi të gjitha dosjet e tjera, dhe veçanërisht do të kemi ndjeshmëri më të madhe për gjakun e fëmijëve dhe të vegjëlve tanë. Prandaj, krimi që armiku ka kryer qëllimisht ndaj shkollës Shajareh Tayyebeh në Minab dhe disa rasteve të ngjashme ka një vend të veçantë në këtë shqyrtim.

Së treti, të plagosurit e këtyre sulmeve duhet patjetër të marrin falas shërbime të përshtatshme mjekësore dhe të përfitojnë nga disa privilegje të tjera.

Së katërti, për aq sa e lejon gjendja aktuale, duhet të përcaktohen dhe të zbatohen masa të mjaftueshme për kompensimin e dëmeve materiale të shkaktuara në pronat dhe pasuritë personale. Dy pikat e fundit janë një detyrim i domosdoshëm për zyrtarët e nderuar, të cilët duhet ta zbatojnë atë dhe të më raportojnë mua.

Një pikë që duhet ta theksoj është se, në çdo rast, ne do të marrim dëmshpërblim nga armiku; nëse ai refuzon, do të marrim nga pasuritë e tij aq sa ta çmojmë të arsyeshme, dhe nëse as kjo nuk është e mundur, do të shkatërrojmë po aq nga pasuritë e tij.

Pjesa e pestë e fjalës u drejtohet krerëve dhe niveleve me ndikim në disa vende të rajonit. Ne kemi fqinjësi tokësore ose detare me pesëmbëdhjetë vende dhe gjithmonë kemi dëshiruar dhe dëshirojmë marrëdhënie të ngrohta dhe konstruktive me të gjitha ato. Por armiku, që prej vitesh, gradualisht ka ndërtuar baza, si ushtarake ashtu edhe financiare, në disa nga këto vende, për të siguruar sundimin e tij mbi rajonin. Në sulmin e fundit u përdorën disa nga bazat ushtarake, dhe natyrisht ne, ashtu siç kishim paralajmëruar qartë, dhe pa ndërmarrë asnjë agresion ndaj atyre vendeve, kemi sulmuar vetëm ato baza. Edhe tani e tutje, me detyrim, do ta vazhdojmë këtë veprim, ndonëse vazhdojmë të besojmë në domosdoshmërinë e miqësisë midis nesh dhe atyre fqinjëve tanë. Këto vende duhet ta përcaktojnë qëndrimin e tyre ndaj agresorëve të atdheut tonë të dashur dhe vrasësve të pjesëtarëve të popullit tonë. Unë u rekomandoj që t’i mbyllin sa më shpejt ato baza, sepse pa dyshim deri tani e kanë kuptuar se pretendimi i Amerikës për vendosjen e sigurisë dhe paqes nuk ka qenë gjë tjetër veçse një gënjeshtër. Kjo do të bëjë që ata të krijojnë lidhje më të forta me kombet e tyre, të cilët në përgjithësi janë të pakënaqur me bashkëpunimin me frontin e mosbesimit dhe me sjelljen e tij poshtëruese, si dhe do t’u shtojë pasurinë dhe fuqinë. Përsëris edhe një herë se sistemi i Republikës Islamike, pa dashur të vendosë sundim apo kolonializëm në rajon, është plotësisht i gatshëm për unitet dhe për marrëdhënie reciproke të ngrohta e të sinqerta me të gjithë fqinjët.

Në pjesën e gjashtë të fjalës, i drejtohem Udhëheqësit tonë dëshmor. O Udhëheqës! Me largimin tënd, i shkaktove të gjitha zemrave një plagë të rëndë. Ti gjithmonë e kishe mall këtë fund, derisa më në fund Zoti i Vërtetë ta dhuroi atë ndërsa recitoje Kur’anin Fisnik në mëngjesin e ditës së dhjetë të Ramazanit të bekuar. Ti durove me fuqi dhe butësi shumë padrejtësi dhe nuk e rrudhe vetullën. Shumë nuk e njohën vlerën tënde të vërtetë dhe ndoshta do të kalojë shumë kohë derisa të largohen perde e pengesa të ndryshme dhe të bëhen të njohura disa anë të saj. Shpresojmë që nga pozita e afërsisë që të është përgatitur pranë dritave të pastra, të sinqertëve, dëshmorëve dhe të afërmve të Allahut, të vazhdosh të mendosh për përparimin e këtij kombi dhe të të gjitha kombeve të Frontit të Rezistencës dhe të ndërmjetësosh për të, ashtu siç ishe në jetën tënde të kësaj bote. Ne të premtojmë se do të përpiqemi me gjithë qenien tonë për lartësimin e këtij flamuri, i cili është flamuri kryesor i frontit të së vërtetës, dhe për arritjen e qëllimeve të tua të shenjta.

Në pjesën e shtatë, falënderoj të gjithë fisnikët që më kanë dhënë mbështetjen e tyre, përfshirë autoritetet e mëdha fetare (merxhi’ et-taklid) dhe personalitete të ndryshme kulturore, politike e shoqërore, si dhe pjesëtarët e popullit që kanë marrë pjesë në tubime madhështore për të shprehur besnikërinë e përtërirë ndaj sistemit, dhe gjithashtu zyrtarët e tri pushteteve dhe Këshillin e Përkohshëm të Udhëheqjes për masat dhe veprimet e tyre të mençura.

Shpresoj që mirësitë e veçanta hyjnore në këto orë dhe ditë plot begati të përfshijnë të gjithë kombin e Iranit, madje të gjithë myslimanët dhe të shtypurit e botës.

Dhe në fund, i kërkoj Zotërisë tonë (Allahu i Lartësuar e shpejtoftë daljen e tij të nderuar) që, në këtë pjesë të mbetur të netëve dhe ditëve të Kadrit dhe të muajit të bekuar të Ramazanit, t’i kërkojë Zotit të Vërtetë (i Madhëruar dhe i Lartësuar qoftë) për kombin tonë fitore vendimtare mbi armikun, si dhe dinjitet, begati dhe mirëqenie, ndërsa për të ndjerët e tyre grada të larta dhe mirëqenie në botën tjetër.

والسّلام علیکم و رحمة‌اللّه و برکاته و تحیّاته
Paqja, mëshira, bekimet dhe përshëndetjet e Allahut qofshin mbi ju.

Sejid Mojtaba Hosseini Khamenei
21 Esfand 1404, që përkon me 22 Ramazan të bekuar 1447

(1) Sureja El-Bekare, pjesë e ajetit 106