Mesazh me rastin e ditës së dyzetë të martirizimit të Udhëheqësit madhështor të Revolucionit dhe për çështjet e rëndësishme të luftës së tretë të imponuar
Ky është përkthim i tekstit origjinal në persisht. Teksti origjinal në persisht
بسم الله الرّحمن الرّحیم
Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
اِنّا فَتَحْنا لَکَ فَتْحاً مُبیناً لِیَغْفِرَ لَکَ اللهُ ما تَقَدَّمَ مِن ذَنبِکَ وَ ما تَأَخَّرَ وَ یُتِمَّ نِعْمَتَهُ عَلَیْکَ وَ یَهْدِیَکَ صِراطاً مُستقیماً وَ یَنصُرَکَ اللهُ نَصْراً عَزیزاً.
Ne të dhamë ty një fitore të qartë, që Allahu të të falë ty mëkatin e mëparshëm dhe atë të mëvonshëm, të plotësojë dhuntinë e Tij ndaj teje, të të udhëzojë në rrugën e drejtë dhe që Allahu të të ndihmojë me një ndihmë të fuqishme. (Kur'ani, El-Fet'h 48:1–3)
Kanë kaluar dyzet ditë nga një prej krimeve më të mëdha të armiqve të Islamit dhe të Iranit dhe nga një prej plagëve më të rënda të zisë së përbashkët në historinë e këtij populli: plaga e martirizimit përvëlues të Udhëheqësit madhështor të Revolucionit Islamik, babait të popullit iranian, prijësit të umetit islam dhe imamit të kërkuesve të së vërtetës në kohën e sotme, zotërisë së martirëve të Iranit dhe të Frontit të Rezistencës, Khameneiut të madh – qaddasallahu nafsahu az-zakijja (Allahu e shenjtëroftë shpirtin e tij të pastër).
Kanë kaluar dyzet ditë që kur shpirti i lartë i Udhëheqësit tonë martir, në afërsi të Zotit, është bërë mysafir në gostinë e të dashurve të Allahut, të të sinqertëve dhe të martirëve; dhe njëkohësisht ose pas tij, një numër i madh shokësh, komandantësh dhe luftëtarësh të Islamit, si dhe bashkatdhetarë të pafajshëm – nga foshnjat disaditëshe deri te të moshuarit – kanë arritur gjithashtu këtë mirësi të madhe.
Kanë kaluar dyzet net e ditë që kur Allahu i Lartësuar e thirri prijësin e këtij umeti në takimin e caktuar me Veten; por këtë herë, ndryshe nga ç'ndodhi në kohën e Kelimullahut (Musait), shokët e Udhëheqësit martir dhe umeti i tij u ngritën për të vendosur të vërtetën dhe për t'u përballur me të kotën, qëndruan si male të patundura përballë Samiriut dhe viçit të tij dhe ranë si llavë e zjarrtë mbi kokat e agresorëve dhe të faraonëve.
Kanë kaluar dyzet ditë e net që kur kryeneçët e botës i hoqën nga fytyra maskat mashtruese dhe të rreme dhe shfaqën fytyrën e shëmtuar dhe djallëzore të vrasjes dhe të shtypjes, të agresionit dhe të gënjeshtrës, të arrogancës faraonike dhe të vrasjes së fëmijëve, të despotizmit dhe të korrupsionit.
Por, në anën tjetër, prej dyzet ditësh e netësh bijtë trima të Khomeinit të madh dhe të Khameneiut të dashur martir, si dhe ndjekësit e Islamit të pastër muhamedan (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij), me një përkushtim dhe guxim shembullor janë të pranishëm në sheshe, në rrugë dhe në llogoret e luftës, dhe, pavarësisht goditjeve dhe dëmeve të sulmit barbar të armikut, e kanë shndërruar luftën e tretë të imponuar në skenën e epopesë së Mbrojtjes së Tretë të Shenjtë. Populli i vetëdijshëm dhe vigjilent i Iranit, ndonëse tregoi se është në zi për dhimbjen e madhe të ndarjes nga prijësi i tij martir, duke ndjekur shembullin e trashëgimtarëve të drejtpërdrejtë të Ashurasë së Husejnit, nga kjo plagë krijoi epope dhe nga vajtimi krijoi thirrje lufte. E gjithë kjo e ka hedhur në habi dhe dëshpërim armikun e armatosur deri në dhëmbë dhe i ka shtyrë njerëzit e lirë të botës ta admirojnë. Këtë herë injoranca dhe padija e kryeneçëve bëri që Esfandi i vitit 1404 të bëhej fillimi i një kapitulli të ri të fuqizimit dhe të ngritjes së emrit të Iranit dhe të Revolucionit Islamik, dhe që flamuri i Iranit islam të ngrihej jo vetëm në hapësirën tokësore të vendit tonë, por edhe në thellësi të zemrave të kërkuesve të së vërtetës në mbarë botën.
Ky përvjetor është një rast i mirë për të bërë një prezantim të shkurtër të Udhëheqësit madhështor. Bëhet fjalë për një njeri që, sa i famshëm ishte, aq nuk u njoh. Të gjithë e dinë se prijësi ynë martir ishte një jurist islam që e njihte kohën e tij dhe kishte largpamësi, një luftëtar i palodhur dhe i qëndrueshëm e i fortë si mali, një dijetar që vepronte sipas dijes dhe njeri i Zotit, njeri i dhikrit, i namazit të natës dhe i përuljes para Zotit, që i drejtohej me ndërmjetësim qenieve të shenjta të të Pagabueshmëve (bekimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi ta të gjithë), dhe që nga thellësia e shpirtit besonte në premtimet e Zotit. Ndër cilësitë e tjera të tij ishin dashuria për Iranin dhe përpjekja e vazhdueshme për pavarësinë sa më të plotë të Iranit të dashur, krahas së cilës ai theksonte unitetin e fjalës dhe kohezionin kombëtar. Ai e kaloi një jetë të tërë në përpjekje për ngritjen e sistemit islam, për qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e tij, dhe në të njëjtën kohë, sipas tij, një Republikë Islamike pa popullin nuk kishte kuptim. Krahas autoritetit dhe vendosmërisë, ai kishte një hollësi të madhe në mendim dhe në mënyrën e të parit të çështjeve. Ai u kushtonte vëmendje të veçantë potencialeve të vendit, sidomos të rinjve. Ai i jepte rëndësi shkencës, teknologjisë dhe përparimit që buron prej tyre. Ai kishte një respekt të veçantë për familjet e nderuara të martirëve, për invalidët e luftës dhe për veteranët e dashur të sakrificës. Ai kishte përvoja të çmuara dhe të grumbulluara në fusha të ndryshme, disa prej tyre me një histori disa dekadash, si dhe shumë cilësi të tjera që përbëjnë një listë të gjatë. Këto ditë në disa media flitet vazhdimisht për artin e tij, për njohjen që kishte për artin dhe për mbështetjen që u jepte artistëve. Ky element, ndonëse më vete mund t'i japë vlerë të madhe personalitetit të një njeriu dhe padyshim ekzistonte te Udhëheqësi ynë i dashur në kuptimin e vërtetë dhe në shkallën më të lartë, krahasuar me elementet e tjera të qenies dhe me meritat e tij, duket i vogël. Unë personalisht njoh tek ai shumë arte: një art i madh i tij, të cilit i kushtohet më pak vëmendje, ishte arti i edukimit dhe i formimit të shoqërisë përmes ndërtimit të mendimeve, të shpirtit dhe të ndjenjave të masave të gjera të popullit dhe të grupeve shoqërore.
Një art tjetër i tij ishte krijimi i institucioneve me qëllim të caktuar, të cilin ai e ndërmori sidomos në vitet e para të periudhës së udhëheqjes së tij, duke pasur parasysh horizonte të largëta.
Një art tjetër i tij ishte fuqizimi i strukturës ushtarake të vendit, efektet pozitive të së cilës populli iranian i pa dhe i përfitoi në dy luftërat e fundit të imponuara. Gjithashtu aftësia për krijimtari dhe novacion në dimensione të ndryshme, qofshin shkencore, strategjike apo të hartimit të politikave, ishte një tjetër nga artet e tij, një pjesë e së cilës pasqyrohet në hartimin e politikave të përgjithshme të sistemit. Po ashtu aftësia për të krijuar kuptime përmes krijimit në kohën e duhur të fjalëve dhe të shprehjeve të reja, secila prej të cilave krijonte dhe mbartte një mori kuptimesh, dhe prej tyre lindte një diskurs publik. Dhe ndër to, arti që ishte fituar si rezultat i lëmimit të shpirtit të tij të lartë në vështirësi, sprova dhe fatkeqësi, si dhe falë durimit dhe qëndrueshmërisë në rrugën e së vërtetës, ishte arti i parashikimit të ngjarjeve të largëta, sepse اَلمُؤمِنُ یَنْظُرُ بِنورِ الله (besimtari shikon me dritën e Allahut). Dhe arte të tjera, numërimi i të cilave nuk është i mundur në këtë përmbledhje të shkurtër.
Të gjitha këto arte dhe merita nuk kishin burim tjetër veçse mirësitë e veçanta hyjnore dhe vëmendjen e veçantë të Zotërisë sonë (Imam Mehdiut) dhe të të parëve të tij të pastër (bekimet e Allahut qofshin mbi ta të gjithë). Ndoshta ajo që i tërhoqi këto mirësi dhe këtë vëmendje drejt atij njeriu të madh mund të përmblidhet në përpjekjen dhe luftën e tij të pandërprerë dhe të sinqertë në rrugën e lartësimit të fjalës së së vërtetës. Por në mënyrë të veçantë, përveç vështirësive të luftës kundër regjimit tradhtar Pahlavi, ai përfitoi shumë nga një rast tjetër i veçantë në rrugën e kryerjes së detyrës, për të cilin njerëzit zakonisht nuk dinë. Ishte e paracaktuar që sejjidi i ri, tejet i etur për dije dhe gjithashtu i etur për veprim, në kohën kur babai i tij i nderuar ishte në rrezik të verbimit, pas vitesh studimi në praninë e mësuesve të shquar, të linte të gjitha mundësitë e dukshme të përparimit shkencor dhe të një të ardhmeje të ndritur në Kom dhe, duke u mbështetur në mirësinë e Zotit, t'ia kushtonte veten babait të tij. Mirësia hyjnore pas kësaj sakrifice u shfaq në atë mënyrë që papritur Sejjid Ali Khamenei, para moshës tridhjetë vjeç, u ngrit si një diell nga Horasani dhe shpejt u konsiderua një nga shtyllat e mendimit dhe të luftës, dhe njëkohësisht bëri përparime të dukshme edhe në shkencat e zakonshme fetare; aq sa në vitet pesëdhjetë (të kalendarit diellor iranian) SAVAK-u e quante „Khomeini i Horasanit“. Duhet të theksoj se ky proces i ngritjes së brendshme dhe të jashtme të atij njeriu të madh vazhdoi edhe në periudhat e mëvonshme. Tani, duke marrë mësim nga sjellja e njerëzve të mëdhenj, e sidomos e një personaliteti të tillë, është shumë e përshtatshme që ta bëjmë rregull të sjelljes sonë këtë cilësi të dashamirësisë së sinqertë ndaj njëri-tjetrit dhe të solidaritetit vëllazëror; sepse kjo cilësi, e shoqëruar me shpresën te mëshira e gjerë e Zotit, është një dallim i rëndësishëm midis atij që qëndron nën flamurin e së vërtetës dhe atyre që janë mbledhur rreth flamurit të së kotës. Padyshim, ndjekja e një sjelljeje të tillë do t'i hapë dyert e qiellit dhe do të zbresë lloj-lloj ndihmash hyjnore dhe të fshehta; që nga zbritja e shiut të mëshirës deri te fitorja ndaj armikut dhe madje përparimet shkencore dhe teknologjike.
Këto ditë dëgjohet vazhdimisht se grupe të ndryshme të popullit të dashur, me të drejtë dhe me mall, e kujtojnë atë njeri të pashoq të kohës, dhe gradualisht po shfaqen gjithnjë e më shumë anë të margaritarit të ndritshëm të personalitetit të tij të lartë. Gjithashtu, po përhapet gradualisht prirja për të ndjekur shembullin e disa veprimeve të veçanta të tij; ndër të tjera, populli ynë i dashur nxori mësime nga grushti i tij i shtrënguar në çastin e martirizimit, dhe tani ky grusht i shtrënguar është bërë për disa një lloj simboli i përbashkët i besimit. Kështu vërtetohet edhe një herë se ndikimi i martirit është më i madh se ai i njeriut të gjallë, se zëri i tij i fuqishëm në thirrjen për teuhid, për kërkimin e së vërtetës dhe për luftën kundër shtypjes dhe shkatërrimit është më jehonues dhe mesazhi i tij më depërtues se në kohën e jetës së tij, dhe gjithashtu dëshira e zemrës së këtij martiri të madh, që ishte lumturia e këtij populli dhe e popujve të tjerë myslimanë, është afruar më shumë se më parë drejt realitetit.
Vëllezër dhe motra bashkatdhetarë! Sot dhe deri në këtë pikë të epopesë së Mbrojtjes së Tretë të Shenjtë, mund të thuhet me guxim se ju, populli hero i Iranit, keni qenë fitimtari i padyshimtë i kësaj fushe.
Sot agimi i ngritjes së Republikës Islamike si një fuqi e madhe dhe rënia e kryeneçësisë globale në tatëpjetën e dobësisë janë bërë të qarta para syve të të gjithëve. Kjo padyshim është një dhuratë hyjnore që i është dhënë popullit iranian falë gjakut të Udhëheqësit tonë martir dhe të martirëve të tjerë të mbështjellë me qefin të përgjakur, të bashkatdhetarëve të pafajshëm dhe të luleve të këputura të shkollës Shexhere-i Tajjibe në Minab, si dhe pas lutjeve dhe përgjërimeve të të gjithë popullit para Zotit dhe pranisë së tyre luftarake në sheshe, lagje dhe xhami, dhe falë sakrificave bujare, pa pritur shpërblim dhe të sinqerta të luftëtarëve të Islamit, të gatshëm për të dhënë jetën, në Korpusin e Gardës, në Ushtri, në Forcat e Rendit (FARAJA), të ushtarëve të panjohur dhe të rojeve kufitare. Edhe kjo dhuratë, si çdo dhuratë tjetër, duhet falënderuar që të vazhdojë dhe të rritet, sepse لَئن شَکَرتُم لَأزیدَنَّکُم (nëse falënderoni, Unë do t'jua shtoj; Kur'ani, Ibrahim 14:7). Falënderimi praktik për këtë dhuratë është përpjekja e pandërprerë për të arritur një Iran të fuqishëm.
Ajo që në këtë fazë duket e domosdoshme për arritjen e këtij slogani dhe qëllimi strategjik të Udhëheqësit martir, është vazhdimi i pranisë së popullit tonë të dashur, ashtu si në dyzet ditët që lanë pas. Kjo prani është një shtyllë e rëndësishme e pozitës në të cilën tani është vendosur Irani i fuqishëm.
Prandaj, me shpalljen e vendimit për negociata me armikun, nuk duhet menduar se prania në rrugë nuk është më e nevojshme. Përkundrazi, nëse supozohet se, nga domosdoshmëria, ka ardhur radha e një periudhe heshtjeje në fushën e luftës ushtarake, detyra e të gjithë njerëzve që kanë mundësi të jenë të pranishëm në sheshe, lagje dhe xhami duket më e rëndë se më parë. Padyshim, thirrjet tuaja në sheshe ndikojnë në rezultatin e negociatave; ashtu si edhe numri mahnitës dhe në rritje, në miliona, i fushatës „Jetën për Iranin“ është gjithashtu një nga elementet ndikuese në këtë fushë. Me lejen e Allahut, të Bekuarit dhe të Lartësuarit, si rezultat i këtyre roleve dhe i vazhdimit të tyre, perspektiva që qëndron para popullit iranian i premton atij shfaqjen e një epoke madhështore dhe të ndritur, plot krenari, nder dhe begati. Kur Udhëheqësi ynë martir mori përsipër udhëheqjen, sistemi i Republikës Islamike ishte si një fidan që kishte marrë shumë plagë nga armiqtë e Islamit dhe të Iranit, dhe sigurisht i kishte përballuar të gjitha mirë. Por kur, pas afro 37 vitesh, la postin e udhëheqjes së umetit, la pas vetes një pemë të mirë, rrënjët e së cilës janë të forta dhe degët e gjethet e së cilës hedhin hije mbi pjesë të rëndësishme të rajonit dhe të botës. Qasja për të arritur „një Iran gjithnjë e më të fuqishëm“ kalon përmes rrugës së unitetit midis shtresave të ndryshme të shoqërisë, gjë që ai e theksonte vazhdimisht. Një pjesë e konsiderueshme e këtij uniteti u realizua në këto dyzet ditë: zemrat e njerëzve u afruan me njëra-tjetrën, akulli midis shtresave të ndryshme me prirje të ndryshme filloi të shkrihej, të gjithë u mblodhën nën flamurin e atdheut, dhe dita-ditës shtohet numri dhe cilësia e kësaj bashkësie. Shumë nga ata që ende nuk kanë arritur një prani të tillë, në zemër janë bashkë dhe në një fjalë me turmat e pranishme në sheshe.
Këto ditë shumë njerëz po përjetojnë një vështrim qytetërimor, duke ia ngulur sytë horizonteve të largëta, dhe krijojnë për vete një pamje jo imagjinare, por të mbështetur në realitetet e së tashmes dhe të së ardhmes. Kjo është një cilësi që deri pak kohë më parë shihej vetëm te një numër i vogël njerëzish, në krye të të cilëve qëndronte Udhëheqësi martir. Kështu çdo vëzhgues e kupton rritjen e shpejtë dhe të mrekullueshme të këtij populli, dhe nuk është pa arsye që këto ditë, kur i urti i famshëm i kohës dhe juristi islam i nderuar ju flet për këtë gjendje, shpesh i mbyten fjalët nga ngashërimi.
Me këtë rast u them fqinjëve jugorë të Iranit se ju jeni duke parë një mrekulli. Prandaj shikoni drejt, kuptoni drejt, qëndroni në vendin e duhur dhe jini dyshues ndaj premtimeve të rreme të djajve. Ne ende presim një reagim të përshtatshëm nga ana juaj, që t'ju tregojmë vëllazërinë dhe dashamirësinë tonë. Kjo nuk do të ndodhë përveçse duke u larguar ju nga kryeneçët, të cilët nuk humbasin asnjë rast për t'ju poshtëruar dhe për t'ju shfrytëzuar. Të gjithë duhet ta dinë këtë: me lejen e Allahut të Lartësuar, ne me siguri nuk do t'i lëmë të qetë agresorët keqbërës që sulmuan vendin tonë. Ne me siguri do të kërkojmë dëmshpërblim për çdo dëm të shkaktuar, gjakun e martirëve dhe kompensimin për invalidët e kësaj lufte, dhe me siguri do ta çojmë menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit në një fazë të re. Ne nuk e kemi kërkuar dhe nuk e kërkojmë luftën, por në asnjë mënyrë nuk heqim dorë nga të drejtat tona të ligjshme, dhe në këtë drejtim e kemi parasysh të gjithë Frontin e Rezistencës si një të tërë të bashkuar.
Në këtë fazë, deri në arritjen e asaj që na përket, së pari, i gjithë populli le të përpiqet të tregojë kujdes dhe mirëkuptim për njëri-tjetrin, në mënyrë që mungesat, të cilat janë pasojë e natyrshme e çdo lufte, të ushtrojnë më pak presion mbi shtresat e ndryshme. Sigurisht, këto mungesa, të cilat në kampin e kundërt janë ndonjëherë shumë më të mëdha, falë përpjekjeve të vëllezërve dhe motrave tuaja në qeveri dhe në institucione të tjera, janë menaxhuar në një masë të konsiderueshme.
Së dyti, ruajtja e veshëve tanë, që janë dritarja e mendjes dhe e zemrës, ndaj mediave të mbështetura nga armiku ose që shkojnë në një linjë me të, është diçka e domosdoshme. Padyshim, ato media nuk i duan të mirën vendit dhe popullit të Iranit, dhe kjo është vërtetuar shumë herë. Prandaj, ose duhet ta ndërpresim plotësisht kontaktin me to dhe përdorimin e tyre, ose të paktën të sillemi me dyshim të madh ndaj çdo gjëje që ato paraqesin.
Së treti, populli i dashur, ndonëse me përfundimin e periudhës zyrtare të zisë për martirizimin e Udhëheqësit të tij madhështor heq rrobat e zisë, e mban gjallë në shpirtin dhe zemrën e tij vendosmërinë e prerë për hakmarrjen e gjakut të tij të pastër dhe të të gjithë martirëve të luftës së dytë dhe të tretë të imponuar, dhe do të jetë vazhdimisht në pritje të realizimit të saj.
Në fund, duke iu drejtuar Zotërisë sonë (Imam Mehdiut) – عجّل الله تعالی فرجه الشریف (Allahu i Lartësuar e shpejtoftë daljen e tij të nderuar) – i paraqes se ne, me besim në Allahun e Lartësuar dhe duke iu drejtuar me ndërmjetësim Imamëve të Pagabueshëm (bekimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi ta), duke ndjekur shembullin e Udhëheqësit tonë martir, qëndrojmë nën flamurin tuaj përballë frontit të mosbesimit dhe të kryeneçësisë, dhe në këtë rrugë kemi dhënë martirë të çmuar nga shtresa të ndryshme në rrugën e nderit dhe të pavarësisë së vendit dhe të lartësimit të Islamit dhe të Revolucionit Islamik, si dhe kemi pësuar edhe dëme të tjera. Tani me gjithë qenien tonë kemi lidhur zemrën te lutja juaj e veçantë për një fitore vendimtare ndaj armikut, qoftë në skenën e negociatave, qoftë në fushën e betejës, dhe shpresojmë që sa më shpejt, edhe ne edhe armiqtë tanë ta shohim efektin e saj të mrekullueshëm, inshallah.
والسّلام علیکم و رحمةالله و برکاته
Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju.
Sejjid Mojtaba Hosseini Khamenei
20/Farvardin/1405